Rrëzohet aeroplani ushtarak në Pakistan, 17 të vdekur

Një aeroplan ushtarak pakistanez, derisa po kryente një fluturim trajnues, është rrëzuar në një zonë të populluar në qytetin Rawalpindi në orët e hershme të së martës duke lënë të vdekur të pesë pjesëtarët e ekuipazhit dhe 12 civilë.

Një deklaratë nga ushtria pakistaneze thotë se aeroplani ishte duke kryer stërvitje kur u rrëzua por nuk është thënë asgjë për shkaktarin e aksidentit apo për llojin e aeroplanit të përfshirë.

Punëtorë ushtarakë e civilë të shpëtimit dërguan së paku 12 persona në spitale në qytet dhe shuan zjarrin që kishte kapluar një shtëpi e cila u dogj deri në themel.

“Aeroplani goditi një pjesë të ndërtesës dhe struktura me të cilën është ndeshur është rrënuar tërësisht”, ka thënë një oficer ushtrie në vend të ngjarjes, raporton Reuters.

Vendngjarja u rrethua nga vetura ushtarake e të kërkim-shpëtimit ndërsa zyrtarët e sigurisë nuk lejuan turmat të afroheshin, transmeton Koha.net.

Rawalpindi është afër kryeqytetit Islamabad dhe në të gjendet baza e ushtrisë pakistaneze.