Rritet numri i veturave elektrike në rrugët e Gjermanisë

Rrjeti gjerman publik me pika për mbushjen e automjeteve elektrike është rritur ndjeshëm në tre muajt e parë të vitit.

“Rrjetit i janë shtuar 1300 pika mbushje deri në fund të marsit, duke e çuar numrin total në 17 400”, njoftoi në Berlin shoqata gjermane e industrisë së ujit dhe energjisë, BDEW.

“Gjermania synon të rrisë numrin e automjeteve elektrike për të zbutur ndryshimin klimatik, por numri total i këtyre makinave të shitura në vitin 2018 ishte 83 000”, sipas Zyrës Federale për Mjete Motorike (KBA), transmeton “ATSH”.

Zhvillimi i rrjetit me pika mbushje shihet si thelbësor për të rritur numrin e automjeteve elektrike në rrugët e Gjermanisë.