Kuvendi nuk miraton rezolutën e Vetëvendosjes për parimet e reciprocitetit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu kërkoi që të votohet një rezolutë e cila sipas tij do të ndërtojë një bazë të barazisë karshi Serbisë para takimit në Uashington. Por, propozimi nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar si rezolutë.

Ai tha se shpreson që rezolutën ta përkrahin Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke paraqitur rezolutën, Aliu ndër të tjera tha se qeveria e Kosovës duhet të zbatojë parimet e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha fushat.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të zbatoje parimet e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha fushat, masa e reciprocitetit në fushën e mardhënieve tregtare të vendosen Brenda pesë ditësh nga miratimi i kësaj rezolute, si arsyetim është Republika e Kosovës gëzon të drejtë në qytetarët e saj, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët të trajtohen barabarsisht pa paragjykime pa pengesa, me dinjitetin e domosdoshëm kur zhvillojnë aktivitetet jetësore profesionale, Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çfarëdo forme tjetër veprimi në marrëdhënie ndërkombëtar nuk mund të jetë ndryshe përpos reciproke”, tha ai.

Ai tha se qytetarët e Kosovës çdo herë kanë shprehur vullnetin që të trajtohen në mënyrë të barabartë me të tjerët në rajon.

“Kërkoj nga ju deputetë të nderuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta votojmë këtë rezolutë me idenë që kjo të ndërtojë një bazë të barazisë karshi Serbisë sidomos në fazën në të cilën gjendemi para shkuarjes në Uashington dhe para marrëveshjes eventuale me Serbinë, të cilën ne nuk po e dimë as për çka do të bisedohet as nuk po e dimë përmbajtën e saj”, tha ai.

Me 83 deputetë në sallë, rezoluta e propozuar nga deputeti Librun Aliu nuk kaloi meqë mori vetëm 31 vota për, 34 kundër dhe 1 abstenim.