Rritja e vlerës së koeficientit të pagave në 110 euro – Gashi paralajmëron greva e protesta

5 euro do të jetë rritja e vlerës së koeficientit të pagave për vitin e ardhshëm.

Me projektligjin mbi ndarjet buxhetore, Qeveria e rriti atë nga 105, në 110 euro, e që i prek të gjithë punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

Me vlerën prej 105 euro nuk ishin të kënaqur asnjë sindikatë në vend.

E, ndër to edhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës.

Të pyetur se si do të veprojnë nga janari i vitit 2024 ku vlera e koeficientit do të rritet vetëm për 5 euro, nga kjo sindikatë kanë thënë se janë duke e pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Ligjit të Pagave.

“Realisht ne jemi duke pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave që veprimet tona të jenë të harmonizuara në kuptimin e asaj edhe se si do të vendos Gjykata Kushtetuese që mos të veprojmë në mënyrë parciale”, ka thënë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovë, Ali Gashi.

Ai deklaron se kanë kundërshtuar edhe vlerën prej 110 euro, por se ky vendim është marrë njëanshëm nga Qeveria, pasi që siç thotë komunikimi mes Qeverisë e sindikatave është zero.

“Sido që të jetë ne si federatë e Sindikatës së Administratës Publike por pothuajse edhe të gjitha federatat kanë kundërshtuar këtë vlerë që do të jetë nga janari 110 euro, por siç e dini komunikimi mes Qeverisë dhe sindikatave është pothuajse zero, andaj Qeveria në mënyrë të njëanshme ka vendos pa u konsultu dhe duke mos marrë për bazë kërkesat tona”, ka shtuar ai.

I pyetur se a mund të ketë greva e protesta në fillim të vitit të ardhshëm, nëse sindikatat nuk pajtohen me këtë rritje, Gashi nuk e përjashton një mundësi të tillë.

“Ne së pari jemi të obliguar ta dëgjojmë zërin e anëtarësisë dhe kur anëtarësia vepron dhe ngrit zërin duke kërkuar protesta apo grevë ne jemi të obliguar ta respektojmë vendimin dhe kërkesën e tyre. Prandaj, e thash ne jemi duke pritë se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin e pagave e më pastaj do të bëjmë një platformë gjithmonë në respektim të vullnetit të anëtarësisë, pasi që ne të gjitha shqetësimet, kërkesat do të ulemi t’i diskutojmë si federata dhe më pastaj do e shpërndajmë edhe tek anëtarësia jonë që t’i kërkojmë opinionet e tyre dhe sugjerimet e tyre se si e shohin këtë situatë”, ka deklaruar Gashi.

Kryesindikalisti Gashi, ka treguar edhe vlerën e pagave që aktualisht marrin punëtorët e administratës.

“Realisht paga më e vogël është diku nën 400 euro, kurse më e larta është përafërsisht diku rreth 1500 por kjo është një numër shumë i vogël, pra një numër minimal dhe kjo mund të shkojë ndoshta vetëm në agjencione, kurse tek pjesa tjetër duke u nis nga sekretarët e teposhtë janë pothuajse tek 1000 euro, por ato janë numër minimal. Kurse, paga mesatarë në Kosovë është diku rreth 550 euro”, ka pohuar ai.

Presidentes së shtetit, me koeficientin 18, do t’i shtohen 90 euro në pagë. Kryetari i Kuvendit do t’i marrë plus 87.5, kurse kryeministri 85 euro më shumë. Ndërsa deputetëve dhe ministrave u rriten rrogat nga 82 euro.

Rritje më të vogël, me 28 euro, kanë ushtarët e FSK-së.

Policëve e zjarrfikësve u shtohen në rroga nga 25 euro.

Pak më shumë do të marrin edhe mësimdhënësit.

Mjekët do të përfitojnë plus 60 euro nga paka aktuale, ndërsa infermierët nga 25.5 deri 30 euro.