Rrjeti zviceran i marketeve “Coop” dhuron mbi 90 mijë euro ndihmë për Shqipërinë

Rrjeti zviceran i marketeve “Coop” do të dhurojë 100,000 franga zvicerane (rreth 91 mijë euro) ndihmë pas tërmetit tragjik që goditi disa zona të Shqipërisë mëngjesin e së martës.

Kjo shumë do të shkojë për REDOG, një organizatë kjo për kërkim-shpëtim në kuadër të Kryqit të Kuq Zviceran (SRC), e cila bën kërkime nëpër rrënojat pas tërmeteve, raporton Koha.net.

“Me këtë shumë, ‘Coop’ po financon ekipin e qenve për shpëtim të REDOG, e cila veçse është në terren. Qentë e trajnuar për kërkim-shpëtim janë e vetmja mënyrë për të lokalizuar të mbijetuarit shpejt dhe saktë”, thuhet në njoftimin e Coop-it.

Nga tërmeti i djeshëm në Shqipëri, zyrtarisht raportohet për 30 viktima. Ndërkaq, janë mbi 650 të tjerë që kanë kërkuar ndihmë spitalore.