Përfundon takimi i dytë Rusi-Ukrainë, pajtohen vetëm për një çështje

Ka përfunduar raundi i dytë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, dy shtete që tashmë ndodhen në luftë.

Reuters duke cituar një prej negociatorëve ukrainas, raporton se palët janë pajtuar që të mbajnë një takim të tretë së shpejti.

Ky zyrtar, i cili ka qëndruar anonim, ka thënë se Ukraina në këto negociata nuk ka arritur rezultatet që i priste.

Ai ka shtuar se që të dy palët janë pajtuar për armëpushim gjatë evakuimit të civilëve nëpër korridoret humanitare.

Ukraina në këtë takim ka kërkuar armëpushim dhe ndalje të zjarrit, por siç duket për këto dy pika nuk kanë arritur pajtueshmëri, si për atë të korridoreve humanitare, përcjell Demokracia.com.

Rusia ndëkrohë, dje bëri të ditur se në negociata do t’i kërkojë Ukrainës një listë specifike të armëve që nuk mund t’i përdorë në luftime.

Takimi i parë Rusi-Ukrainë, që kur nisi pushtimi rreth një javë më parë, është mbajtur të hënën në kufirin e Bjellorusisë.

Bjellorusia ka organizuar edhe takimin e dytë në kufirin bjelloruso-polak në një shtëpizë të quajtur “Shtëpia e Gjuetarit”.