“Rrudheni gojën ose ju rrudhen xhepat” – Lekaj e padit për shpifje Hysen Durmishin

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj e ka paditur për shpifje zv/ministrin aktual të këtij dikasteri, Hysen Durmishin.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook.

“Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendës ministrit të MMPHI, H.Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një “grup kriminal”, ka shkruar ai.

“Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi”, ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë:

Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendës ministrit të MMPHI, H.Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një “grup kriminal”.

Janë mësuar tani e një kohë të gjatë të vjellin vrerë, me fyerje e shpifje të paskrupullta kundër meje, kudo që kanë pasur mundësi.

Bile me këto janë krekosur para popullit edhe si guximtar, duke u fshehur prapa imunitetit që ofron ligji kundër fyerjes dhe shpifjes për gjithë ato që fliten në Kuvend dhe në komisione parlamentare nga kushdoqoftë.

Duke e parë se mosreagimi im po e nxitë edhe më shumë shpifjen dhe fyerjen kundër meje, vendosa që t’i drejtohem gjykatës. Aty duhet të tregojnë fakte për vërtetësinë e deklaratave të tyre.

Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t’ju rrudhet xhepi.

Zgjedhja është e tyre!