Rrusta e PSD-së: Trendafilova refuzoi të na takojë

Teutë Rrusta, anëtare e PSD-së, për protestën e organizuar këtë të mërkurë kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale ka theksuar se protesta ishte për t’i treguar opinionit publik se kjo gjykatë po vepron me padrejtësi.

Ajo ka thënë se ndër arsyet e protestës është edhe mospajtimi me vizitën e kryetares Ektarine Trendafilovës, e cila, sipas tyre, po tenton të normalizojë veprimtarinë e Gjykatës Speciale.

“Ne kemi paralajmëruar një protestë ose aksion protestues ku njëri nga qëllimet është me sensibilizuar opinion se këtu është duke ndodhur një padrejtësi. Edhe kemi marrë shkasë ndaj vizitës së Trendafilovës sepse ne mendojmë se më kë po takohesh dhe ku po shkon tregon pak se çfarë je duke dashur të bësh. Çfarë është duke dashur të bëj kryetarja e Dhomave të Specializuar është me e normalizuar veprimtarinë e Gjykatës Speciale”, është shprehur ajo.

Gjithashtu, Rrusta ka theksuar se PSD-ja ka kërkuar më herët një takim me kryetaren Trendafilova, por ajo ka refuzuar duke theksuar se nuk diskuton për çështje politike.

Kjo, sipas Rrustës, ka shtyrë partinë të organizojë protestën si një mënyrë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj praktikave të Gjykatës Speciale.

“Duke qenë ky fakt tashmë i dëshmuar ne e kemi parë të rrugës që mos ta lejojmë që ky tregim të mos përfundoj në atë mënyrë qysh ajo është duke dashur të investojë. Pra kritika jonë kryesore investimi në imazh nuk guxon me u leju edhe ne kemi kërkuar më herët që me e taku zonjën Trendafilova edhe i kemi dërguar letër, ajo ka thënë që nuk diskuton për politik edhe nuk diskuton me parti pulitke. Dhe meqë ajo nuk mundet me u ballafaqu por në të njëjtën kohë po shkon dhe po diskuton me shoqëri civile, ajo po e bën një lloj menaxhimi të PR-it dhe po përpiqet të ia gjej një vend pranushmëri një gjykate që është duke u refuzuar në Kosovë, andaj ne kemi dashur të dërgojmë sinjale nga jashtë”, ka deklaruar Rrusta në Debat Plus.

Në lidhje me përdorimin e mjeteve shpërthyese në protestë, Rrusta ka theksuar se kjo ka qenë një formë e dramatizimit dhe se ato nuk kanë shkaktuar pasoja serioze pasi sipas saj, kanë qenë mjete të tifozëve.

“Ne kemi marrë mjete të tifozëve, edhe i kemi përdorur aty, ajo krijon një lloj dramaciteti, ato mjete janë pa pasoja edhe nuk kanë qenë as të drejtuara ndaj policëve. Duhet me cek që janë gjashtë të arrestuar shumë gazetar të lënduar dhe asnjë polic i lënduar bilanci i ditës është ky në raport me dëmet e tilla”, ka deklaruar ajo.