Rukiqi pas vendimit të ARBK-së ndaj Klanit dhe Artmotion: Veprim kriminal

Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar pas vendimit të ri të ARBK-së për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës dhe Artmotion.

Ai tha se i tërë rajoni është në garë për investime të reja, turistë të rinj e ngjarje të karakterit global, ndërsa sipas tij, Qeveria e Kosovës është në garë për mbyllje dhe frikësim të bizneseve dhe investitorëve.

“Mbyllja dhe frikësimi i bizneseve, pa asnjë procedurë ligjore, është veprim kriminal. Nëse ky krim nuk ndalet, kjo që sot po ndodh me Klanin dhe Artmotion, do të jetë vetëm fillimi i ngufatjes të lirisë së mendimit, të lirisë së shprehjes, iniciativës së lirë, ndërmarrësisë dhe çdo vlere në shoqërinë tonë”, tha Rukiqi.

Kujtojmë se dje, ARBK-ja e ka anuluar vendimin për shfuqizimin e vendimit të anulimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, ndërsa sot ka marrë vendim që ta pezullojë edhe certifikatën e biznesit ndaj Artmotion.