Rusia dëbon 40 diplomatë gjermanë

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të hënën se kishte shpallur 40 pjestarë të misionit diplomatik gjerman si “persona non grata”, si hakmarrje pasi Berlini dëboi të njëjtin numër diplomatësh rusë.

Përmes një deklarate Moska tha se e kishte marrë vendimin pasi Gjermania më 4 prill shpalli një numër zyrtarësh të ambasadës ruse në Berlin si të padëshirueshëm

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se rusët e dëbuar nuk ishin marrë asnjëherë me diplomaci gjatë kohës së tyre në Gjermani, por përkundrazi tha ajo, “punuan sistematikisht kundër lirisë sonë dhe kohezionit të shoqërisë sonë”.

Nga ana tjetër, diplomatët e dëbuar gjermanë kishin punuar shumë lidhur me marrëdhëniet dypalëshe pavarësisht rrethanave të vështira, tha ajo në një deklaratë, duke shtuar se lajmi ishte i pritshëm.

“Rusia po e dëmton veten me dëbimet e sotme”, tha ajo. Gjermania ishte një nga disa vendet evropiane që dëboi diplomatë rusë pas raporteve për gjetjen e varreve masive dhe vrasjeve të civilëve në qytetin ukrainas Bucha, gjatë sulmit rus.

Më 24 shkurt Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në atë që e quajti një “operacion special” për të dobësuar aftësitë ushtarake të Kievit dhe për të çrrënjosur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase kanë rezistuar ashpër ndërsa Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar atë vend të tërheqë forcat e saj nga Ukraina.