Rusia kërcënon Kosovën pas arrestimit të shtetasit rus

Ministria e punëve të jashtme të Rusisë ka kërcënuar Kosovën me pasoja, për shkak të ‘’mos respektimit të Kombeve të Bashkuara nga ana e Prishtinës’’.

Agjencia e lajmeve serbe ‘’FoNet’’ ka raportuar për njoftimin e ministrisë së jashtme ruse.

Rusia ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme që të mbrojë shtetasin e vet, punëtorin e UNMIK’ut, Mikhail Krasnoshchenko, të cilin njësia speciale e Policisë së Kosovës e ka arrestuar në Zubin Potok gjatë aksionit në veri dhe të cilin sot kryeministri Ramush Haradinaj e ka shpallur person ‘’non-grata’’.

“Veprimet e autoriteteve në Kosovë i shohim si përkeqësim shtesë të marrëdhënieve ndëretnike në krahinë dhe si përbuzje ndaj normave ndërkombëtare të komunikimit diplomatik. Në këtë mënyrë, Prishtina demonstron mos-respektim ndaj Kombeve të Bashkuara, gjë që do të ketë pasoja afatgjata”, ka paralajmëruar ministria ruse.

“Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët e saj në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar”.

Puntori rus i UNMIK’ut u arrestua gjatë aksionit në veri me dyshimin se ai po ndihmonte banorët vendas të vendosnin barrikada që do e pengonin aksionin e policisë.