Safete Hadergjonaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializura të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj me kodin W0441, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Hadergjonajn ka filluar që ta marrë në pyetje avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në fillimin e dëshmisë, tha se para luftës ka qenë mësimdhënëse në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

“Po kam punuar, pasi kam përfundu Fakultetin Ekonomik, në vitin 1997 kam fillu punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan si mësimdhënëse e lëndëve ekonomike, aty kam punu shtatë vite, katër vite kam punu në institucionin e shkollës në gjimnaz. Në vitin 1990 na e kanë mbyllë shkollën pushtuesit serbë, përmes policisë na e kanë vu bllokadën në derë dhe kemi mbet jashtë, nxënësit dhe profesorët dhe jemi detyru ta organizojmë mësimin nëpër oda, në shtëpi private, ku kam punu edhe katër vite aty”, tha Hadergjonaj.

Dëshmitarja tha se ka pasur edhe një biznes me vëllanë e saj, të cilin ia kishin mbyllur pushtuesit serbë.

“Bashkë me vëllaun tim kemi hapë një agjencion turistik dhe kam punu deri në vitin 1998 kur kanë ardhë policia e Serbisë na e kanë mbyllë atë agjencion dhe jemi detyru që të qëndrojmë në shtëpi”, shtoi Hadergjonaj.

Ajo tha se që nga viti 2004 deri në vitin 2019 ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, tani është profesoreshë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Pas mbrojtjes, pyetjet për dëshmitaren Safete Hadergjonaj do t’i parashtrojnë përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ndryshe, Hadergjonaj në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës është dëshmitarja e gjashtë e mbrojtjes./BetimipërDrejtësi/