Salihaj: Ministri aktual i Arsimit dështoi të bëjë ndryshime

Njohësi i çështjeve të arsimit, që deri pak muajsh ka qenë drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, është i zhgënjyer me punën e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai thotë se ka pritur shumë nga ky ministër, por që ai dështoi të bëjë ndryshime dhe nuk arriti t’i realizojë shumicën e planeve të tij. Sipas Salihajt, ministri edhe pse u zotua dështoi të depolitizojë sistemin arsimor.

Ai beson se e vetmja zgjidhje për ta nxjerrë arsimin nga kjo gjendje është që para zgjedhjeve të gjitha partitë politike të nënshkruajnë një memorandum në prani të ndërkombëtarëve për depolitizimin e sistemit arsimor.

Salihaj tha se pritshmëritë e mia kanë qenë të larta. Kam parë tek ministri një entuziazëm për të punuar dhe ndryshuar gjendjen. Pati ardhur me premtime se do të ndryshojë shumë çështje sidomos në Universitet, të mbyllë kolegjet që s’kanë efektivitet, por kjo nuk ndodhi, për maturën shtetërore tha se do të bëjë ndryshime, por prapë po kemi probleme pasi kemi administrim shumë të dobët në këtë proces.

Kam qenë optimist, mirëpo jam shumë i zhgënjyer, sepse këto objektiva për fat të keq nuk janë realizuar. Po ashtu, ka pasur edhe punësime nepotike. Si partitë e mëdha, si të voglat e kanë vazhduar të njëjtin avaz, nuk kanë rritur buxhetin për arsim, ende ndahen për arsim vetëm 4.7 për qind të GDP-së e kjo është shumë e vogël.

“Nuk kemi parë hapa konkretë në këtë drejtim. Ministri është munduar të bëjë disa ndërrime në drejtori të MASHT-it dhe kam menduar se ato ndryshime nuk kanë prefiks partiak, por u pa megjithatë se janë më shumë ndërhyrje partiake sesa për ta përmirësuar arsimin”, theksoi Salihaj.