Sanksionet e SHBA-së: Haradinajt e Limajt iu refuzohen vizat, PDK dhe LDK marrin pjesë në Lutjet e Mëngjesit

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj Qeverisë së Kosovës tani po i pranojnë edhe dy partitë e pozitës, AAK dhe NISMA. Anëtarëve të këtyre dy partive iu kanë refuzuar vizat nga ambasada amerikane për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington DC, transmeton Gazeta Metro.
Raportimet e Metros ditë më parë se SHBA-të i kanë refuzuar vizën kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe anëtarët e tjerë të partisë së tij, sot i kanë vërtetuar edhe deputetët e saj, ku kanë thënë se askush nga AAK-ja nuk do të marrë pjesë në Washington DC.
Burimet e Metros brenda partisë kanë bërë të ditur se kjo është e vërtetë pasi kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, kërkesat dhe kushtet e SHBA-së që i ka kërkuar për pezullimin e taksës ai i ka kundërshtuar.
Nga AAK-ja ka folur edhe deputeti Muharrem Nitaj, por ai e ka arsyetuar mos shkuarjen e tij në Lutjet e Mëngjesit në Washington DC,  duke thënë se është vonuar në procedurat e aplikimit për vizë amerikane dhe për atë e ka humbur pjesëmarrjen në këtë eveniment, transmeton Gazeta Metro.
Ndërkaq, edhe vet i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pranuar se nuk do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, pasi atij ia kanë refuzuar vizën amerikane për shkak të sanksioneve që i ka vënë SHBA atij.
“Qejf kam pasur, edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, këto ishin fjalët e kryeministrit ditë më parë i pyetur se a i kanë refuzuar vizën SHBA’të, transmeton Gazeta Metro.
Ndërkaq, fatin e njëjtë sikurse të Haradinajt, e ka edhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, edhe ai nuk do të mund të udhëtojë drejt SHBA-ve.
Kurse nga Partia Demokrati e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të ketë pjesëmarrës në Lutjet e Mëngjesit që do të mbahet në Washington, deri tani janë dy deputetët e Kuvendit që e kanë pranuar se do të marrin pjesë, Memli Krasniqi nga PDK dhe Arben Gashi nga LDK do të udhëtojnë drejt SHBA-ve.
Por, edhe dy liderët e vendit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli do të marrin pjesë në Lutjet e Mëngjesit me ftesë të Presidentit të SHBA’së, Donald Trump.