Sarrazin: Gjermania nuk lë që Kosova të kurthohet nga Asociacioni

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se nuk lejojnë që sovraniteti i Kosovës të kurthohet nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Ne jemi miq kemi njohur pavarësinë e Kosovës, zotohemi për liberalizim të vizave dhe jemi pro aplikimit në Këshillin e Evropës. Kancelari Scholz më ka thënë se ne në mënyrë pozitive do të shikojmë mundësinë dhe aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Pra të gjitha këto qëndrime pozitive janë që të mos lejnë sovranitetin e Kosovës që të kurthohet në ndonjë kurth nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, duhet të ndërmarrim këto veprime pasi është arritur një pajtim më 2013 dhe kjo është koha e duhur për të gjitha këto për vendin [Kosovën]” u shpreh Sarrazin.

Sarrazin, në Klan Kosova, tha se duhet të mbahen premtimet për liberalizimin e vizave pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret relevante.

“Shpresoj që të gjitha çështjet të cilat janë ngritur për këto procedura mund të kenë përgjigje të mirë. Unë mendoj që vërtetë duhet t’i plotësojmë premtimet tona tani kur të gjitha kriteret relevante janë plotësuar në mënyrë pozitive dhe është pohuar po ashtu se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se nuk ka asnjë arsye për të mos ecur përpara dhe në anën tjetër mendoj se është shumë e nevojshme për besueshmërinë që të ofrojmë këtë [liberalizimin e vizave për Kosovën]”.

“Por ende unë nuk mundem premtojë asgjë – ajo që mundem të premtojë është që Gjermania është avokati dhe luftëtari më i madh që ky vendim të merret”, tha emisari gjerman.