SBAShK-u thërret takim të jashtëzakonshëm me krerët e nivelit komunal, paralajmëron Qeverinë

Vazhdon edhe më tutje konfrontimi mes Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë.

Tani SBAShK-u ka paralajmëruar sërish masa, nëse nuk merren parasysh kërkesat, përcjell Fokusi.info.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, SBAShK-u ka konfirmuar takimin me krerët e nivelit komunal dhe mundësinë e veprimeve sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë.

Më poshtë edhe komunikata e plotë:

Të nderuara medie të shkruara dhe elektronike
Ju përshëndesim nga SBASHK duke ju uruar punë të mbarë dhe suksese të vazhdueshme.
Kemi nderin t’ju ftojmë në takimin e jashtëzakonshëm që do ta mbajmë me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive.

Takimi do të mbahet në sallën e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, të premten, më 12 nëntor, me fillim në orën 14.

Prishtinë, 11 nëntor 2021

Zyra për informim e SBASHK-ut