SBASHK vazhdon me grevën, kërkon që të mos bëhet presion ndaj grevistëve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka bërë të ditur se do të vazhdojë greva në tërë sistemin arsimorë deri sa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën për ngritjen e koeficienteve në Projektligjin e pagave për 30 përqind për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.
Kjo sindikatë fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën e tyre.
“Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë  presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe Konventat ndërkombëtare”.
“Punëtorët e arsimit nuk ka mundur t’i frikësojë e t’i largojë nga misioni i tyre i shenjtë as pushtuesi serb me gjithë atë dhunë  në vitet e 90-ta. Punëtorët e arsimit nuk mund t’i largojë as sot e gjithë ditën askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për  të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale  ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave”.
“Ne nuk po kërkojmë as me shumë e as më pak se të tjetër dhe prandaj do të qëndrojmë të palëkundur në angazhimet dhe përpjekjet  tona për të realizuar kërkesën e drejtë për ngritje se paku për 30 përqind të koeficienteve për të punësuarit në tërë sistemin arsimor”.