Seanca e Gucatit dhe Haradinajt vazhdon me dyer të mbyllura

Është duke vazhduar seanca e pestë e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë, por tani ka kaluar në kushte private.

Gjyqtari Nicolas Guillou deklaroi se do të kalojnë në seancë të mbyllur pasi që do t’i dëgjojë palët lidhur me materialin provues.

“Nuk shoh dikë tjetër që do të marrë fjalën. Nëse është kështu, atëherë po vazhdoj me pikën e parë në rendin e ditës për sot. Tani dua të dëgjoj nga palët lidhur me nxjerrjen e materialit provues do të filloj me çështjen e kërkesës së fundit të ZPS-së për mosnxjerrje, do të diskutoj në seancë private me dyer të mbyllura pastaj do të kthehemi në seancë për të diskutuar në seancë publike”, tha gjyqtari Nicolas Guillou.

Kujtojmë se në seancën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ia ka parashtruar gjyqtarit Guillou dosjen paraprake të Prokurorisë, listën e dëshmitarëve dhe provave, si dhe tabelën e nxjerrjes së materialeve, në rastin ku po akuzohen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.