Seanca për kanosjen ndaj tij, vjen reagimi nga Hoti

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës Avdullah Hoti.
Lidhur me këtë ka ardhur reagimi në rrjetet sociale nga vetë Hoti.

Hoti ka thënë se Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese.

Më tutje Hoti ka thënë se Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.

Reagimi i plotë:

Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.

Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër.

Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.

Falënderoj policinë dhe gjykatën për punën e tyre dhe përkushtimin për të sjellë drejtësi.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin tone.

Lexo edhe:

Gjykata merr vendim për mërgimtarin që e kanosi Avdullah Hotin, kjo është shuma që do të paguajë