Seancë e jashtëzakonshme: Të enjten mësohet nëse ‘Badovci i ndan’ LDK e PDK në Prishtinë

Me justifikimin se nuk punuan sa duhet, kryetari i Prishtinës Përparim Rama nisi një “ristrukturim” të qeverisjes në kryeqytet që nisi me shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu dhe vazhdoi me shkarkimin e nënkryetares, Donjeta Sahatçiu, e cila reagoi me akuza për revanshizëm.

Këta dy, që vijnë nga PDK-ja, thonë se Përparim Rama po u hakmerret pasi kundërshtuan këmbimin e një prone komunale. Nesër mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal në kryeqytet.

Nesër, një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të mbahet me fillim nga ora 14:00.

Propozim-vendimi për anulimin e vendimit për këmbimin e këtyre pronave do të jetë në rend të ditës.

Seanca u thirr të dielën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të dielën mblodhën nënshkrimet e nevojshme.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

Një tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje është vendosur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që të këmbehej me një pronë gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re.
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin ndihmuar për ta bërë kuorumin kur u mor vendimi për këmbim në dhjetor të vitit të kaluar.

Pasi Sahatçiu u shkarkua nga posti i nënkryetares në kryeqytet, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku shkroi se ajo nuk pranoi të jetë pjesë “e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit”.

Rama insiston se procesi i këmbimit të pronave, për të cilin thotë se ka filluar në qeverisjen e kaluar, është i ligjshëm. Ai thotë se Ministria e Financave i ka vlerësuar tokat para se ai të vinte në karrigen e kryetarit dhe sipas tij, pronën në Badoc me 8 milionë euro, ndërsa atë komunalen me 3 milionë euro. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se për këtë vendimi i takon Komunës dhe duhet pyetur Komuna.