Sejdiu i pakënaqur, Tërmkolli akuza të rënda ndaj Mustafës, e quan njeri të Rrahman Morinës

Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka dalë i pakënaqur nga salla ku po mbahej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Kjo pasi, siç tha ai, atij iu mohua kandidatura, ndërsa lëshoi akuza ndaj mënyrës se si është zgjedhur kryetari i ri.

Njëjtë ka vepruar edhe anëtarja Melihate Tërmokolli, e cila Mustafën e quan “njeri të Rrahman Morinës”.

“Është dasht të jeni brenda, kjo ndodh për t’i ikur përgjegjësisë para opinionit. Njerëzit nuk mund të shërohen lirshëm. Nuk kanë miratuar kandidaturën time, e kanë miratuar një tjetër. Në këtë mënyrë të punës, me këtë qasje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve, e kemi një shenjë të keqe për demokracinë në Kosovë. LDK-ja ka qenë dhe mbetët shtëpia ime”, u shpreh ai pasi doli nga salla.

Ai tha se me këtë veprim është sulmuar shpresa e ecjes së një subjekti politik.

“Kam tentuar ditët të fundit të kem kontakt me kryetarin rreth një konsensusi politik. Më ka pritur por nuk kam marr ndonjë përgjigje. Nënkryetarët nuk kanë dashur të dinë cila është ideja ime rreth një konsensusi politik”, theksoi më tej ai.

“Delegatët vendosin për kryetarin, sigurisht në këtë mënyrë ai (Mustafa) do të marrë mbështetjen e tyre”, deklaroi në fund ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se ka ndodhur një procedurë e cila as në komunizëm nuk na ndodh kështu.

“Madje kërkova edhe fjalën për një çështje normale, as ajo fjalë nuk m’u dha. Ndoshta nuk është e çuditshme sepse në krye të LDK-së e kemi njeriun që ka qenë ministër i Rrahman Morinës. Besoj që LDK-ja e vërtetë, Rugoviane, do të ecë përpara. Por me këta njerëz që e kanë okupuar LDK-në, nuk do të ecë përpara”, deklaroi ajo.

Tutje, Tërmkolli tha se iu pamundësua kandidimi Fatmir Sejdiut dhe theksoi se mund të ketë ndodhur “që i kanë frikësuar edhe delegatët”.

“Njerëzit ndoshta janë kushtëzuar edhe me jetë dhe vende pune”, theksoi ajo.