Sejdiu: Zgjedhjet janë alternativa e vetme, PDK-ja në opozitë, Kurti është bërë si Thaçi

Deputeti i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Sejdiu, konsideron se në situatën aktuale në Kosovë, alternativa e vetme janë zgjedhjet e reja. Ai thotë se PSD-ja po punon që të hyjë e vetme në zgjedhje, por nuk e përjashton as koalicionin parazgjedhor.

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Sejdiu flet për nënçmimin që Albin Kurti po ia bën vazhdimisht PSD-së, për cilësimin “partiçkë” dhe akuzat tjera.

Ai përgjigjet se për cilat parti kanë “vija të kuqe”, dhe nëse do të bënin koalicion me Vetëvendosjen e Kurtit. Ai ankohet se partia e Kurtit më shumë bën opozitë për PSD-në sesa për PDK-në e Kadri Veselit.

Sondazhi që e nxjerr PSD-në keq, vetëm me 2.4% të përkrahjes popullore, nuk i duket problem për t’i hyrë zgjedhjeve vetëm.

Gazeta Express: A janë zgjedhjet e vetmja alternativë pas largimit të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit?

Dardan Sejdiu: Në situatën e krijuar, pa dyshim që rruga përpara janë zgjedhjet. Konsideroj që ato duhet të mbajtur sa më parë, sepse është urgjencë ndërrimi i kësaj mendësie qeverisëse që e kemi tash e dy dekada.

Gazeta Express: Ndonjë formulë tjetër për “krijimin e shpejtë të një qeverie funksionale” pa zgjedhje, siç po thonë disa ambasadorë, a është e pranueshme për PSD-në?

Dardan Sejdiu: Një qeveri funksionale për ne është një qeveri që del nga vullneti i qytetarëve, pra përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Gazeta Express: A është e gatshme PSD-ja për zgjedhje të reja, pasi, sipas një sondazhi të publikuar në janar, partia juaj ka vetëm 2.4 për qind të përkrahjes popullore. A mendoni se jeni shtrirë mjaftueshëm në Kosovë?

Dardan Sejdiu: Fillimisht dua të theksoj që PSD-ja është partia që ka treguar gatishmërinë më të madhe për zgjedhje edhe para dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. Për t’u kthyer në kohë, ne qysh para një viti kemi dorëzuar nënshkrimet e deputetëve tanë për mocionin e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj. Rrjedhimisht, edhe tani jemi të gatshëm dhe qysh nga fillimi kemi bërë thirrje që të caktohet data e zgjedhjeve në përputhje me çfarë parasheh Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Sa u përket sondazheve, ato janë matje të opinionit publik në momente të caktuara. Ju me këtë shifër po i referoheni një sondazhi më të kahershëm, derisa ka sondazhe të mëvonshme në të cilat kemi dalë mbi 5%. Por, përtej sondazheve, ne besojmë se kemi mbështetje shumë më të madhe qytetare dhe këtë do ta dëshmojmë në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen pavarësisht se si dalin sondazhet.

Gazeta Express: A do të garoni të vetëm në zgjedhje, apo do të bëni koalicion parazgjedhor me ndonjë parti?

Dardan Sejdiu: Jemi duke punuar që në zgjedhje të shkojmë të vetëm sepse vlerësojmë se është mënyra më e mirë për ta shpalosur platformën tonë dhe zgjidhjet tona për problemet e thella me të cilat ballafaqohet vendi ynë. Por, natyrisht nuk i përjashtojmë koalicionet parazgjedhore, por gjithherë duke mos e larguar nga rendi i parë përputhjen programore. Në një rast të tillë, e shoh shumë me rëndësi një bllok të majtë, një platformë të majtë, e cila është çelës i shtegdaljes nga gjendja e rëndë socio-ekonomike në vend.

Gazeta Express: A ka “vija të kuqe” PSD-ja për koalicion me ndonjë parti?

Dardan Sejdiu: Këtë term më duhet thënë se e kanë banalizuar se tepërmi partitë që përmes “vijave të kuqe” grumbullonin elektorat, e në mundësinë e parë u ktheheshin pazareve politike dhe i asgjësonin ato. Por si PSD, e kemi thënë disa herë, dhe jemi të vendosur që në ata që kanë qeverisur vendin tash e dy dekada duhet të shkojnë në opozitë, pra besojmë se PDK-ja duhet të shkojë këtë mandat në opozitë.

Gazeta Express: Me VV-në a ka gjasa të hyni në koalicion? Nga ata ka vazhdimisht refuzim për juve, Kurti madje përdori një fjalë nënçmuese për juve, duke ju quajtur partiçkë në shërbim të PAN-it?

Dardan Sejdiu: Po bëhet me shumë se një vit që VV-ja nuk e ndal gjuhën ofenduese ndaj nesh dhe akuzat pa asnjë bazë. Për ne nuk është shqetësuese çfarë thonë ata për neve, sepse ne e njohim veten dhe nuk e kemi hall portretizimin që na e bën një parti tjetër. Për mu është sa shqetësuese, aq edhe e habitshme, se si për VV-në më shumë problem është bërë PSD-ja sesa PDK-ja. Opozita e tyre më shumë ka qenë ndaj PSD-së sesa Kadri Veselit.

Unë nuk e paskam dëgjuar këtë deklaratë të zotit Kurti, por edhe kjo gjuhë është e habitshme. Qasjen e tillë e kam parë te Hashim Thaçi dikur, kur i cilësonte VV-në një grupacion të vogël e pa ndikim. Por, kjo arrogancë e tyre ironikisht rezultoi me rënie të përkrahjes qytetare për PDK-në dhe rritje të VV-së. Më vjen keq ta shoh Kurtin duke u shndërruar në kalkulator. Sinqerisht, ndihem keq kur e dëgjoj tek përdor gjuhën e njëjtë ndaj nesh që dikur e përdorte Hashim Thaçi ndaj tij.

Në fakt unë thellësisht besoj që fitorja ndaj keqqeverisjes në Kosovë nuk vjen me shpifje e nënçmime, por me bashkëpunim e program. Për PSD-në, programi për vendin dhe rruga përpara për vendin është më e rëndësishme se inatet e tentimet për nënshtrim. Koha e anatemimeve duhet të përfundojë, koha e zgjidhjeve të problemeve ekonomike e shoqërore duhet të fillojë, e për këtë duhet pasur guxim për bashkëpunim e koordinim. Ne si PSD këtë e kemi.