Selimi pas reagimit të Shaip Kamberit: Hera e dytë që kuvendi serb dridhet nga zëri i një shqiptari

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka komentuar veprimin e deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberit, pas vendosjes së flamurit shqiptar në institucionin në fjalë.

Selimi ka thënë se “kjo është hera e dytë që kuvendi serb që po dridhet nga një shqiptar”, duke iu referuar edhe fjalimit të mbajtur të Kamberit përgjatë kohës sa po zgjidhej legjislatura e re në Serbi.

Ai, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se simbolet kombëtare janë e drejtë primare në secilën konventë ndërkombëtare.

“Hera e dytë që Kuvendi i Serbisë dridhet nga zëri i një shqiptari. Deputeti shqiptar Shaip Kamberi, kërkon të drejtat legjitime të identitetit për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Këto të drejta janë parësore në cilëndo konventë ndërkombëtare, të cilat po u mohohen shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga qeveria serbe”, ka thënë ai.