Selmanaj: Nuk frikësohemi të shkojmë në Washington, sikur Kurti

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Driton Selmanaj thotë se para marrjes së detyrës kanë qenë të vetëdijshëm për problemet që ka vendi dhe kanë vendosur të ballafaqohen me to.

“LDK nuk ka hyrë në qeveri për të ruajtur status-quo, status quoja mund të jetë e rrezikshme për Kosovën’, thotë Selmanaj në emisionin Pressing në T7.

“Me aleatët tonë politik kemi vendosur që tu dalim në ballë problemeve”, theksoi ai.

“Jemi koshientë ndaj suazës politike…LDK ka pranuar që të jetë në ballë të këtij konstruksioni të ri politik duke i ditur problemet. Do të ballafaqohemi fuqishëm me këto probleme, fillimisht ballafaqimi me pandeminë e nga ana tjetër kemi një plan konkret për rimëkëmbjen ekonomike. Fokusi kryesor është kjo”, tha Selmanaj.

“Pastaj dialogu me Serbinë dhe rikthimin e komunikimit me shtetet mike”, tha ai duke theksuar se ata nuk frikësohen të shkojnë në Washington, sikurse paraardhësit e tyre në ekzekutiv.

Duke u përgjigjur kritikuesve, Selmanaj thotë se Hoti nuk udhëheq me një qeveri teknokratike.

“Nuk pajtohem se qeveria Hoti është qeveri teknokratike”, thotë Selmanaj, sipas të cilit qeveria ka në përbërje njerëz kompetentë dhe nuk kanë për qëllim vetëm ruajtjen e status-quos.

“Nuk e kemi plan me u dorëzu para secilës sfidë që na del përpara”, shtoi ai.