Selmanaj për foton me Prekun: E kam mik të djalit të axhës, nuk e njoh

Gjatë ditës së djeshme u raportua për një plan për vrasjen e kryeministrin Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliri dhe një komandanti me emrin Ismet Haxha. Prek Kodra, dyshohet se në krejt këtë, kishte rolin e atentorit/vrasësit. Ndërkaq, sot u publikua një fotografi e Driton Selmanajt me personin në fjalë. Ky i fundit, Nacionales i shpjegoi se si erdhi deri te takimi, ndërsa na tha se nuk ia ka ditur as emrin.

Selmanaj shihet me një person tjetër dhe Prek Kodrën, në një fotografi të publikuar nga mediat. Deputeti në fjalë, i tha Nacionales se fotografia është bërë para dy viteve, dhe personit nuk ia ka ditur as emrin.

Sipas tij, një mik i familjarit (djalit të axhës) e ka ftuar në këtë takim me Kodrën, dhe kanë qëndruar përreth dy orë.

“Po e tregoj rastin si është. Personin në mes, në fotografi, është miku i djalit të axhës tim. Isha duke ardhë prej Prizrenit në Prishtinë para dy vite, më ka thirrë djali i axhës, më ka thënë Driton a po vjen se i kam do mysafirë prej Shkodre? Kam shku, kam pi kafe, kam ndejtë një 1 orë a dy orë, as emër, as mbiemër (qesh). Sot kur më ka kontaktu ai portal, e mora vesh kush ka qenë, qysh ka qenë. Dmth është mik i djalit të axhës, hera e parë që e kam taku dhe e fundit. As emrin nuk ia kam ditë”, i tha Selmaj Nacionales.

Pyetur se a është takuar ndonjëherë tjetër me Kodrën, Selmanaj mohoi një gjë të tillë, duke përsëritur se nuk ia kishte ditur as emrin.

“Kurrë, kurrë, hera e parë dhe e fundit ka qenë aty, djali i axhës ka thënë kam mysafirë. As emrat nuk i kam marrë, nuk kemi bisedu për emra, janë miqtë e tij që kanë ardhë. Dy vetë ka qenë, ai dhe dikush tjetër. Para dy viteve është kjo punë”, tha Selmanaj.

Nacionale e pyeti deputetin e LDK-së edhe për raportimet nëpër media dhe në rast se, kur ka parë Prek Kodrën, i është kujtuar takimi me të.

“Absolutisht, absolutisht. Ma ka dërgu portali fotografinë, s’e kam pasë idenë kush është ai person, s’ia kam ditë emrin as atëherë as sot. Hera e fundit, u mbyll gjithçka aty. Ndodhë shpesh, ulemi në tavolina, edhe gjatë fushata, me njerëz të çfarëdo natyre, por ne nuk i dimë ato”, ka thënë ai.