Shahini: Shumë shpejt buxheti pritet të shkojë në Kuvend për miratim

Buxheti i shtetit për vitin 2020 ende nuk është miratuar, për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve. Ndonëse qeveria paraprake e pati projektuar buxhetin, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e ka kthyer në rishqyrtim. Për siç kanë thënë Ministria e Financave dhe Transfereve harmonizimin e buxhetit në përputhje me programin e qeverisë Kurti.

Ministria e Financave dhe Transfereve, që edhe është përgjegjëse për hartimin e buxhetit, ka bërë të ditur se shumë shpejt buxheti do të jetë gati. Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për komunikim në Ministrinë e Financave, i ka thënë Radio Kosovës se ministria është duke punuar intensivisht dhe shumë shpejt buxheti pritet të shkojë në Kuvend për miratim. “Për sa i përket buxhetit për vitin 2020, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, bashkë me stafin e Ministrisë është duke punuar intensivisht për harmonizimin e buxhetit në përputhje me programin e qeverisë Kurti, në mënyrë që sa më shpejt të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pastaj për aprovim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Shahini.

Shahini thotë se në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Parasë Publike, është zgjatur buxheti i vitit të kaluar deri në muajin mars. “Duke pasur parasysh mos miratimin e buxhetit për vitin 2020, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, aktualisht nga Kuvendi i Kosovës është zgjatur afati i buxhetit edhe për muajin mars”, u shpreh Shahini.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro./Rtklive