Shaip Kamberi tregon se pse e përmendi rastin “Panda” në Parlamentin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur çështjen e rastit “Panda“, në seancën e mbajtur në Parlamentin serb.

Kamberi ka treguar edhe arsyet pse ka ngritur këtë çështje.

“Ka shumë vite që edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar se rasti ‘Panda‘ ka qenë i inskenuar nga pushteti i atëhershëm serb. Serbia tash ka disa vite që kërkon negociata e marrëveshje me Kosovën, por unë kam kërkuar që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, së pari të filloj duke zbardhur të vërtetën për këtë rast, për të cilin ende nuk ka të arrestuar“, ka thënë Kamberi në Kanal10.

Kujtojmë se më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të gjimnazit dhe një student 25-vjeçar me emrin Ivan ishin duke qëndruar në kafenenë ‘Panda‘, i cili ndodhej përballë shkollës. Aty kanë hyrë dy njerëz të armatosur e maskuar dhe me breshëri automatikësh kanë vrarë gjashtë të rinj dhe janë larguar.