Shala i PDK-së: Po shqyrtojmë mundësinë e ankimimit të Ligjit për Paga

Ligji i Pagave në sektorin publik u miratua në Kuvend më 22 dhjetor të vitit 2022.

I njëjti të mërkurën e 4 janarit të 2023-ës mori dekretimin edhe nga anë e Presidentes, Vjosa Osmani.

Megjithatë akoma nuk dihet se sa është paraparë të jetë vlera e koeficentit që përcakton rrogat për punonjësit shtetërorë.

Deputeti i PDK-së, njëherit anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvend, Ferat Shala tha se po shqyrtojnë mundësinë që të ankohen për Ligjin e Pagave.

“Mbajtja peng e koeficientit nënkupton një lojë politike të pandershme dhe jo ligjore. Vërejtjet tona nuk janë marrë për bazë në komisione. Jemi duke analizuar çdo mundësi me institucione e kategori të caktuara që ta ankimojmë ligjin”, theksoi Shala për “Front Online”.