​Arrestohet kryetari i Komunës së Kllokotit, dyshohet për manipulim me vota

Bozhidar Dejanovic është arrestuar nën dyshimet për dallavere me vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e ka konfirmuar se kryetari i komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic është arrestuar sot për dyshimet për manipulim me vota.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se, sot, ka ekzekutuar Urdhrin e Gjyqtarit të procedurës paraprake, për kontrollimin e Objekteve të Komunës së Kllokotit, në lidhje me një hetim që është duke zhvilluar ndaj Kryetarit të Komunës, të pandehurit Bozhidar Dejanovic, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Policia jep detaje për arrestimin e kryetarit të Komunës së Kllokotit

Ndaj Dejanovic me vendim të prokurorit të çështjes u vendos ndalimi për 48 orë, dhe brenda afati ligjor do të paraqitet para Gjyqtarit të procedurës Paraprake.