Shala: Vuçiq s’ka vullnet për ta arritur epilogun e bisedimeve me Kosovën

Opionisti Blerim Shala ka thënë se nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, refuzon të pohojë që dialogu i Brukselit bëhet në mes të autoriteteve më të larta të Serbisë dhe të Kosovës, atëherë, edhe vet epilogu i synuar i tyre, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i mjegulluar.

Ai, në një shkrim për Klankosova.tv, ka deklaruar se është duke u biseduar për një normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe jo për normalizimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e as në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

“Kemi të bëjmë me dy shtete të pavarura, (njëri i ri-bërë në vitin 2006, pas Referendumit të suksesshëm të Malit të Zi për kthimin e pavarësisë, e tjetri në muajin shkurt të vitit 2008, me Aktin e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës), të cilat në vete i kanë të gjitha elementet e një shteti, teksa një histori e gjatë, e rëndë dhe tragjike, i ka ndarë një herë e përgjithmonë (në vitin 1999), sepse po e njëjta histori e gjatë, e rëndë dhe tragjike, ka bashkuar Kosovën me Serbinë (në vitin 1912), me një okupim të mirëfilltë të Serbisë”.

“Historia zatën, e tillë si ka qenë, dhe që nuk mund të ndryshohet asnjëherë, i ka shterë të gjitha opsionet e një koekzistence brenda një kornize shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është realisht e njohur dhe e qartë për të gjithë. Asnjëherë, asnjë pushtet i Serbisë, nuk i ka dashtë shqiptarët e Kosovës në shtetin e tyre.

“Gjithmonë, të gjitha pushtetet e Serbisë, e kanë dashtë Kosovën (territorin e saj), brenda Serbisë. Dhe askurrë nuk ka qenë e mundur që të ndodhë ndarja e shqiptarëve nga Kosova, në ato përmasa, (masive, të dëbimit dhe të shpërnguljes), të cilat do ta zhbënin lidhjen në mes të fatit të shqiptarëve dhe fatit të Kosovës. Nga ky pikëshikim pra, i cili nuk është një tezë politike, por një rikapitulim historik (i saktë, i qëndrueshëm), është shumë e qartë se për çka duhet të bisedojnë në të vërtetë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë. Realiteti në Kosovë, shteti i Kosovës, është i pakthyeshëm, sepse kjo lidhja e fatit të shqiptarëve dhe fatit të Kosovës, është përjetësuar me krijimin e shtetit të Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008”.

Shala ka deklaruar se Vuçiq shihet që nuk ka vullnet për të mbërri epilogun e bisedimeve me Kosovën përmes nënshkrimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Në vijim të kësaj situate të krijuar në tri vitet e fundit në Serbi dhe në raportet e saj me BE-në, duket që Aleksandar Vuçiq nuk ka vullnet që të jetë njëmend i gatshëm për të mbërri në epilogun e bisedimeve me Kosovën, të cilat kanë hyrë (në muajin maj), në vitin e 24-të të zhvillimeve të tyre, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Shala.