Kush ishte Heroina Mehmetaj, vetëvrasja e të cilës po lidhet me vrasjen në Gllogjan

Sot janë arrestuar tre persona për vrasjen në Gllogjan që të tre të arrestuarit janë familjarë.

Madje, ata rezultojnë që janë familjarë të Heroina Mehmetajt, vajzës që u vetëvra vitin e kaluar, me të cilin rast mediat po e lidhin edhe vrasjen në Gllogjan.

Por, kush është vajza me të cilën po lidhet rasti i Deçanit?

Heroina Mehmetaj i kishte dhënë fund jetës në qershorin e vitit të kaluar, duke u vetëvarur.

Ajo ishte gjetur e vdekur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Heroina ishte studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës, bursiste me notë mesatare 9.2.

Prokurori Haxhi Sinanaj kishte konfirmuar se 20 vjeçarja Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan i Deçanit i kishte dhënë fund jetës, duke u varur në litar.

Motivet që e kanë shtyrë drejt vetëvrasjes ishte thënë se nuk diheshin, raporton Demokracia.com.

“Shkaku për momentin nuk dihet, autopsia ka dëshmu që kemi të bëjmë me vetëvarje, e ka varë veten në litar. Për motivet që e kanë shtyrë, për momentin nuk jemi në dijeni”, kishte deklaruar Sinanaj.

Vdekja tragjike e Heroinës e preku jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë e saj. Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ishte shprehur i tronditur nga kjo vetëvrasje.

“I tronditur nga lajmi për vdekjen e Heroina Mehmetaj nga fshati Gllogjan. Me shpresën që qytetit tonë të mos i ndodhin më vdekje të tilla, nga zemra ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmetaj, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, kishte shkruar Ramosaj.