Shantazhe përmes rrjeteve sociale, policia: Kujdes me të dhënat personale

Policia e Shtetit njofton qytetarët shqiptarë mbi rastet e shtuara të shantazheve në rrjetet sociale. Përmes një njoftimi në  mediat, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me komunikimin dhe  miqësitë në rrjetet sociale dhe veçanërisht në ndarjen e informacioneve personale në rrjet.

“Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në vijim të punës së saj, prej disa kohësh ka evidentuar me shqetësim rritjen e rasteve të shantazheve në rrjet. Për të sqaruar më mirë opinionin publik, shantazhet në rrjet nuk janë situata të reja me të cilat përballen qytetarët dhe strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Kohët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të qytetarëve që janë prekur nga këto vepra penale duke krijuar shqetësim si për ata që janë të prekur drejtpërdrejt  ashtu dhe për familjet e tyre”, njofton policia.

Duke bërë të ditur që në pjesën më të madhe të rasteve personat rezultojnë të jenë të huaj, policia jep detaje mbi mënyrën se si ata funksionojnë.

“Përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë. Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre. Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme.  Pas kësaj autori fillon të shantazhojë personin me bërjen publike të të dhënave të marra duke shfrytëzuar dhe njohjet që ka  personi  në rrjetet sociale. Për të ndaluar shantazhin dhe për të fshirë të dhënat që ka zotëruar, autori i kërkon personit  vlera të ndryshme monetare që duhet t’i dërgohen atij nëpërmjet kompanive të ndryshme financiare.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal. Aktualisht, sipas evidentimeve që Njësia “C” disponon, personat e prekur janë të moshave të ndryshme duke mos u fokusuar në grup mosha të veçanta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Duke ju bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdeshsëm me komunikimin në rrjtet autoritetet japin disa orietime:

➢ Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;

➢ Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;

➢ Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;

➢ Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.

Njëkohësisht çdo rast mund të denoncohet në  Strukturën e Njësisë për Hetimin Kibernetik drejtpërdrejt në adresën e postës elektronike [email protected]./Opinion.al