Shaqiri, shqiptari i rekordeve: Jam i tronditur dhe shumë krenar!

0
382

Xherdan Shaqiri kishte kohë që nuk po shfaqej si protagonist te Liverpool, për shkak se Jurgen Klopp ka gjetur ekuilibrat perfekte në sulm, por shansi i shqiptarit erdhi në ndeshjen e vitit, pasi kundër Barcelonës mungonin Firmino e Salah.

Një paraqitje shumë e mirë, pasuruar me asistin për golin e tretë, ndërsa tani Shaqiri kërkon triumfin e dytë në Champions League, pas atij me Bayern.

Pas ndeshjes së djeshme “xhuxhi magjik” foli për Teleclub: “Është e vështirë të gjesh fjalë në një moment të tillë. Jam jashtëzakonisht krenar për këtë ekip, për atë që kemi bërë. Pakkush e besonte, pasi e nisëm keq, por besuam dhe dëshironim të luanim lojën tonë deri në fund”.

Gjithsesi, kualifikimin zor se e mendonin edhe vetë lojtarët e The Reds dhe Shaqiri e pranon: “Jam ende i tronditur, por shumë krenar për këtë fitore. Nuk e kam provuar kurrë diçka të tillë. Është unike, nuk ndodh çdo ditë. Tifozët ishin të mrekullueshëm, pa ta nuk do ishte e mundur”.

Një fitore edhe për Xherdanin: “Tre muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë për mua, por prita shansin tim, duke u stërvitur fort. Liverpool është një super klub, duhet të dish të bësh diferencën. U ktheva në formacion duke e ditur se kisha një barrë të rëndë mbi vete, por u ndjeva shumë mirë dhe besoj se e justifikova besimin. Tani dua trofeun, nuk ka rrugë tjetër”./telesport.al/