SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, shprehet në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkuara, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Për javë të tëra, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë të sektorit privat për të mbështetur Shqipërinë të zbusë, kapërcejë dhe hetojë sulmin kibernetik të 15 korrikut, që dëmtoi të dhënat e qeverisë dhe nxori jashtë funksionimit shërbimet qeveritare për publikun.

Shtetet e Bashkuara, thotë deklarata, kanë arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që ndërmori këtë sulm të papërgjegjshëm.

Irani, thotë Shtëpia e Bardhë, ka shkelur normat që duhet të ndjekë një shtet i përgjegjshëm paqësor për sa i përket sigurisë kibernetike, siç është mos-dëmtimi i infrastrukturës kritike, që ofron shërbime për publikun.

“Aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte”, thotë Shtëpia e Bardhë./voa