SHBA paralajmëron Rusinë: Do ta paguani shtrenjtë nëse keni paguar talebanët për t’i vrarë ushtarët tanë

ShBA-ja thotë se Rusia do të paguajë një çmim të lartë nëse vërtetohen pretendimet se Moska ka paguar talibanët për të vrarë ushtarët amerikanë në Afganistan. Për këtë sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo paralajmëroi homologun e tij rus Sergei Lavrov.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se paralajmëroi homologun e tij rus Sergei Lavrov se Moska do të paguajë një çmim të lartë nëse vërtetohen njoftimet e agjencive të zbulimit se Rusia ka paguar militantët islamikë për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan.

Ky lajm u raportua fillimisht në qershor nga gazeta “New York Times”. Sipas gazetës, zbulimi ushtarak rus po u ofronte para disa grupeve militante të lidhura me Talibanët për të vrarë ushtarët e aleancës në Afganistan, përfshirë ata amerikanë. Ky raportim u bazua mbi citimet e disa zyrtarëve të zbulimit amerikan.

Presidenti Donald Trump i pyetur nga gazetarët, tha se nuk ishte informuar nga zyrtarët e zbulimit, pasi vetë ata dyshonin mbi vërtetësinë e këtij informacioni, por më pas komentet e tij u kundërshtuan nga pohimet e disa zyrtarëve amerikanë dhe europianë.

Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, sekretari Pompeo refuzoi të komentojë në lidhje me vërtetësinë e këtij lajmi apo nëse ai mendon se presidenti Trump duhej të ishte informuar, por ai theksoi se Uashingtoni nuk do ta tolerojë një sjellje të tillë.

“Nëse rusët po japin para për të vrarë ushtarët amerikanë, apo edhe të vendeve të tjera të NATO-s, do të paguhet një çmim i lartë. Këtë ia thashë edhe ministrit të Jashtëm Lavrov,” tha Pompeo gjatë intervistës, realizuar me rastin e vizitës së tij në Republikën Çeke.

Muajin e kaluar disa burime pranë zyrtarëve amerikanë dhe europianë thanë se ShBA-ja ka marrë informacione të reja që mbështesin akuzat se Rusia ka paguar militantët e lidhur me Talibanët për të vrarë ushtarët amerikanë.

Ky informacion i autoriteteve të zbulimit vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në bisedime me Talibanët si dhe me qeverinë afgane për tërheqjen e trupave nga vendi.