Shkarkohet Drejtori i Arsimit në Klinë

Sot në media ka qarkulluar një informacion që kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka shkarkuar nga detyra e drejtorit Arben Limanaj,drejtor i arsimit dhe Petrit Bekaj,drejtor i inspeksionit.

Lidhur më këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar të dy drejtorët.

Arben Limanaj, Drejtor i Arsimit në Komunën e Klinës ka konfirmuar shkarkimin duke thënë se vendimi është kryesisht politik dhe ka ardh si pasoj e mosmarrëveshjeve për konkurset.

“Ditën e premte jam shkarkuar nga detyra, para 1 jave më ka ardhur vendimin që me jep dorëheqje nga Kryetari i Komunës dhe pas kësaj kam kërkuar shpjegime se pse duhet me jep dorëheqje, mirëpo nuk më është kthyer asnjë përgjigje dhe pas saj ka ardhur shkarkimi im”

“Arsyeja sipas vendimit është sipërfaqësor thjesht kishte të bëj lidhur me konkurse. Kryetari nuk ka vepruar me përputhje strategjike dhe politike të kryetarit. Kryesisht konfliktet tona kanë qenë në lidhje me konkurset. Gjithçka lidhjet me pranimet e kuadrat me mospajtimet tona pra ne lidhje me konkurset. Për mu kryesisht ky vendim është politik”, ka thënë Limanaj për Indeksonline.

Ndërsa, drejtor i inspeksionit në këtë Komunë ,Petrit Bekaj ka thënë se deri me tani nuk ka marr ndonjë vendim zyrtar për atë që po flitet.

“Unë jam duku punuar në terren, deri me tani nuk kam marrë ndonjë vendim zyrtar. Sapo të marr ndonjë informacioni do të ju njoftoj”, ka thënë Bekaj.

Kurse, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj për Indeksonline ka thënë se vetëm një drejtor është shkarkuar deri më tani mirëpo mund të ketë edhe shkarkime të tjera.

“Jemi në fazën e një reformatimit, një drejtor deri tani është shkarkuar dhe janë në monitorim të gjithë drejtorët, nuk është as i pari dhe nuk mbetet as i fundit. Pra, deri më tani vetëm një është shkarkuar”, tha Elezaj për Indeksonline.