Reagon policia: Situata në veri është e qetë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas incidenteve të sotme në veri të vendit, tash situata është e qetë.

Sipas tyre, qëllimi primar ishte asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve, sigurinë dhe lëvizjes së lirë të të gjithë personave.

Policia bëri të ditur se, ata kanë komunikuar me protestuesit disa herë ku kërkuan lirimin e hyrjes së kryetarëve në objekte dhe të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”.

“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Fokusi.info.

Tutje, policia ka bërë të ditur se si pasojë e sulmeve, pesë zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, disa vetura civile e të gazetarëve si dhe tri vetura të EULEX-it.

“Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, bëri të ditur policia.

Më tej, bëhet e ditur se policia ka reaguar edhe disa mjete të rënda transportuese që bllokuan rrugë të ndryshme, ndërsa janë angazhuar edhe njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme.

“Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”, thuhet në reagim.