Shkarkohet nga detyra prokurori i dosjes “Tahiri”, Gentian Osmani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Gentian Osmani, duke i dhënë fund kështu karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.

Osmani e kaloi procesin e Vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Trupi gjykues në KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj, gjyqtare, dhe i përbërë nga anëtarët: Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz, të cilët vendosën ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të Osmanit, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në arsyetimin e vendimit, KPA-ja deklaroi se 99% e gjetjeve të ONM-së në lidhje me pasurinë e Osmanit kanë qënë të pabazuara, por mungesa e justifikimit të shpenzimeve dhe të kursimeve për harkun dyvjeçar 2011-2013, patën rol përcaktues në urdhërimin e shkarkimit të tij nga detyra.

Osmani ka qenë edhe pjesë e garës për Strukturën e Posaçme të Antikorrupsionit (SPAK), nga e cila do të skualifikohet automatikisht. Me shkarkimin e tij, KLP mbetet sërish me 10 anëtarë, dhe pritet të hapet edhe njëherë gara për vendin vakant të 11-të.

Prokurori ka qenë shenjestër e sulmeve të opozitës lidhur me hetimin e tij mbi çështjen e njohur si “Babalja”, për të cilën janë burgosur dhe zvarritur proceset gjyqësore të denoncuesve të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafajt./Lapsi/