Shqipëri: Një i vdekur dhe 793 raste me Covid 19

Një person me COVID-19 ka vdekur në 24 orët e fundit në Shqipëri.

“Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, ka një humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetare nga Tirana, 77-vjeçare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë janë konfirmuar edhe 793 raste të reja nga gjithsej 4996 testime të kryera.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 346 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 203,460 që nga fillimi i pandemisë.

Janë 13,786 pacientë aktivë me COVID-19 në gjithë Shqipërinë.

Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 129 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen sa më parë për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

“Çdo qytetar mbi 16 vjeç mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. MSHMS-ja apelon te qytetarët që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.