“Ju ia ngulët thikën Hashim Thaçit”: Edi Rama përplaset me deputetët e PD-së për gjenocidin serb në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përplasur ashpër me deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Gjithçka nisi për raportin e Dick Martyt ku po diskutohet sot në Kuvendin e Shqipërisë. Edi Rama ka qenë i ashpër, duke e akuzuar se PD-ja ia ka ngulur thikën Hashim Thaçit.

“Cilin gjenocid doni të aprovojë Parlamenti i Shqipërisë? E keni harruar ju se unë jo, që ai shtet i lirë sovran është krijuar nga ata që pa të cilët, nuk duhet të bëjnë asnjë hap. Pa aleatët. Përpara se të kuturisemi ne në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve tanë. Çka mendoni ju për Hashim Thaçin. Ju e nisët raportin e Dick Martyt. Duke ia ngulur thikën mu në gjoks presidentit të Kosovës. E akuzuar edhe për terrorist”, ka thënë Edi Rama.

E deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzoi Ramën se po frikësohet ta dënojë gjenocidin serb në Kosovë.

“E keni paraqitur një rezolutë jashtë të gjitha rregullave. Kam kërkuar të parashikohet që ky Kuvend të njohë gjenocidin serb në Kosovë. KAQ. Ju keni paraqitur një rezolutë që me të drejtë ky Kuvend të marrë qëndrim për Dick Martyn, e për të cilin disa përfaqësues të UCK-së po vuajnë padrejtësisht. E shkaku cili është? Gjenocidi serb në Kosovë. Pse ke frikë ta përmendësh këtë? Pse ke frikë ta votosh. Nga kush keni frikë? Si jeni ju mor, që gjakun tonë ka ndodhur gjenocid serb, pse nuk e pranoni këtë. Kujt po ia bëni nderin”, ka thënë Alibeaj.

Debati po vazhdon në seancën e sotme.