Shqipëria dhe Turqia, firmosin 3 dokumente të rëndësishme

Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj sot ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Cakaj ka falënderuar atë për për mbështetjen e jashtëzakonshme të Turqisë për përpjekjet e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit tragjik.

Me këtë rast të dyja palët kanë nënshkruar 3 dokumente të rëndësishme për Shqipërinë dhe Turqinë.

Postimi i plotë:

Sot, pata nderin e veçantë të prisja për një vizitë zyrtare në Tiranë, ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlut Cavusoglu.

Tepër falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme të Turqisë për përpjekjet e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit tragjik.

Në këtë takim kemi firmosur 3 dokumente të rëndësishme për vendet tona:

1. Memorandumi i “Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve”, i cili do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve profesionale të diplomatëve tanë, shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes vendeve tona e rritjen e ndërveprimit mes Shqipërisë e Turqisë në përgjithësi.

2. Deklarata e Përbashkët, që do t’ju shërbejë veçanërisht përpjekjeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit.

3. Marrëveshja për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e Lejeve të drejtimit”, e cila do ta lehtësojë lëvizjen dhe do t’i zvogëlojë pengesat burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit në Shqipëri dhe Turqi.

Ne do të angazhohemi edhe më shumë për thellimin e bashkëpunimit për të shfrytëzuar plotësisht potencialin madhor që ekziston midis vendeve tona