Abazoviq: Jam gati të jap dorëheqje

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë sonte në mbrëmje se është i gatshëm të japë dorëheqje.

Një gjë të tillë, Abazoviq e ka thënë derisa ka komentuar njoftimin e Partisë Mali i Zi Demokratik, e cila paraprakisht tha se ai duhet të japë dorëheqje pas zgjedhjes së organeve të drejtësisë.

Kështu, Abazoviq tha se në parim e mbështet qëndrimin i cili i bëri thirrje Kuvendit që të mos shqyrtojë iniciativat e mundshme për shkurtimin e mandatit para se të zgjidhen katër anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe së paku një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjithë duhet të kemi një konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, Gjykatës Kushtetuese,… Le të kontribuojmë të gjithë për këtë dhe të themi: ‘Mirë, po shkojmë për zgjedhje të reja, qeveri, ridizajnim apo ndonjë model tjetër’. Por para kësaj, le të bëjmë një punë të përbashkët. Nëse kolegët e mi nga demokratët, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, nëse ka ndonjë rrugë… jam i gatshëm të jap dorëheqje”, citohet të ketë thënë Abazoviq për TV “Vijesti”.

Ndërsa i pyetur nga redaktori i emisionit nëse ka ardhur koha “t’ia dorëzojë stafetën dikujt tjetër”, Abazoviq ka thënë se ajo që ka propozuar qeveria po funksionon.

“Mali i Zi ndryshon në shumë mënyra nga 30 gushti 2020 dhe të gjitha proceset që ndodhën nuk kanë ndodhur në dëm të Malit të Zi. Ky ishte detyrimi ynë. Ndonjëherë ndihemi të vetmuar në mbrojtjen e qytetarëve të Malit të Zi, kjo shfaqet shpesh, por më e rëndësishmja është që procesi të vazhdojë dhe askush nuk mund ta ndalë atë”, tha Abazoviq.

Ndryshe, qeveria e Abazoviqit kohët e fundit mbeti pa mbështetjen e shumicës në parlament kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) bëri të ditur se Qeveria ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të, siç e gjykuan, “braktisjes së agjendës evropiane”.

Abazoviq është kritikuar më së shumti për pranimin e nënshkrimit të kontratës shtetërore me Kishën Ortodokse Serbe.