Shqipëria do të blejë helikopterë “Black Hawk” nga SHBA-të

Helikopterët “Black Hawk” shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës Ajrore shqiptare. Kjo falë marrëveshjes së Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Marrëveshja që u nënshkrua nga Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë vizitës zyrtare në Pentagon, gjithashtu parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.

Gjatë vizitës në Pentagon, Xhaçka u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan. Ministrja teksa vlerësoi mbështetjen e ShBA-së, e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i denjë.

Për sekretarin Shanahan, Shqipëria është një partner i fortë, ndërsa nënvizoi ndër të tjera angazhimin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sa i takon rrezikut rus në rajon, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se dy vendet janë partnerë të fortë edhe përballë këtij rreziku.

AlsatM