Shqiptarët e Luginës i dërgojnë letër të hapur Mogherinit

Shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë dërguar një letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherinit, përmes së cilës kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, që deri tani ëstë zhvilluar në Bruksel.

Mësohet se kjo letër është nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi si dhe nga deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani.

Përveç Mogherinit, këtë letër përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ia kanë dërguar edhe presidentit Hashim Thaçi si dhe kryesuesve të dialogut, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Siç raportojnë mediet serbe, përmes kësaj letre, përfaqësuesit shqiptarë kanë argumentuar se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë është një mundësi jetike për zgjedhjen e problemeve të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.