Shqiptarët e Luginës së Preshevës e konsiderojnë të rëndë vitin 2020

2020 ishte vit i rëndë veçanërisht për qytetarët e Luginës së Preshevës të cilët në pandemi mbetën edhe pa mbështetje nga institucionet qendrore. Liderët atje janë me shpresë që të drejtat e shqiptarëve të avancohen në vitin e ardhshëm si në aspektin politik edhe në atë social e kombëtar.

Përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve kanë shprehur keqardhje për jetët e humbura nga Covid-19.

Por ata dallojnë edhe disa situata në të cilat ky vit po vlerësohet si pozitiv.

Çështja e sigurimit të teksteve mësimore për nxënësit e shkollave fillore, ajo e bashkimit të spektrit politik shqiptar në një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare, me ç’rast u siguruan tre ulëse në organin ligjvënës të Serbisë, formimi i pushtetit në Bujanoc nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare si dhe hapja e zyrës së Këshillit Nacional-shqiptar në Medvegjë rezultojnë si të arritura gjatë vitit 2020.

Ndërsa dominon optimizmi dhe shpresa për tejkalimin e pandemisë, përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mbetet prioritet i angazhimit të subjekteve politike që përfaqësojnë shqiptarët e kësaj zone edhe në vitin 2021./RTK