Nadira Kralani, tash e 20 vjet, bashkë me fëmijët e saj jeton me qira në Mitrovicën e Jugut, pasi gjatë luftës i ishte djegur shtëpia në Veri të Mitrovicës.
Ajo thotë se përkundër premtimeve që do t’i ndërtohet shtëpia në Kodrën e Minatorëve, nuk ka asgjë konkrete, raporton KTV.
Kralani shton se fajtorë për këtë janë institucionet vendore, pasi, sipas saj, serbëve po u realizohen të gjitha kërkesat.
Përderisa përfaqësues të shqiptarëve që u janë djegur dhe uzurpuar shtëpitë në veri të vendit, thonë se kanë filluar procedurat për kthimin e tyre në katër komunat e veriut.
Nazmi Ismajli thotë se përgjatë 4 vjetëve të ardhshme do të ndërtohen 300 shtëpi për këta banorë, por që po kanë probleme pasi po u kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive të djegura.
Në veri të vendit janë edhe 700 banesa të banorëve shqiptarë që janë të uzurpuara.
Sipas të dhënave të UNHCR-it, numri total i të kthyerve vullnetarë, që nga viti 2000 deri në shkurt të 2019-s, është 28 mijë e 134 persona, prej tyre 11 mijë e 959 janë nga komuniteti serb ndërsa 1282 janë shqiptarë.
Projekti për kthimin e personave të zhvendosur do të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, por Qeveria e Kosovës, prioritet i ka dhënë kthimit të komunitetit serb.