Shtesat e fëmijëve/ Zgjerohet skema, mund të përfitojnë fëmijët e lindur nga viti 2015 e tutje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se kanë zgjeruar skemën për t’i dhënë shtesa famijëve, duke lejuar që të gjithë ata që janë bërë prindër nga viti 2015 mund të aplikojnë për shtesa.

“Si rezultat i performancës së mirë financiare dhe hapësirës fiskale të krijuar, sot kam marrë vendim që prej këtij muaji të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e tutje”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Pra të gjitha nënat që kanë fëmijë të lindur nga data 1 janar 2015 e tutje, mund të aplikojnë për shtesa, të cilat do të fillojnë t’i marrin nga ky muaj”.

“Aplikimi për fëmijët 2015+ do të hapet prej ditës së nesërme”.

“Për të përfituar nga ky muaj e tutje, aplikimi duhet të bëhet më së largu deri me 24 tetor. Aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues”.

Tutje, Ministri i Financave bëri vërejtje për aplikuesit të cilët kanë shkruar gabim numrin e llogarisë bankare, duke thënë se tani e tutje, që të pranohet aplikimi, duhet të siguroheni se llogaria është në emrin e nënës, njofton Fokusi.info.

“Që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK”.