Shtohen forcat policore në Klinikën ku po trajtohet “italiani”

Është raportuar se mbrëmë ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të Klinikës ku po trajtohet Andi Pajaziti “italiani”, i dyshuari për përfshirjen në incidentin në lokalin “Bon Vivant”, të premten mbrëma, ku u vra një person dhe u plagosën 17 të tjerë.

Por, kjo u mohua nga drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.

“Në Klinikën e Ortopedisë nuk ka pasur të shtëna me armë zjarri, por vetëm janë shtuar forcat policore”, tha Jashanica për Klankosova.tv

Të dielën, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve që ishin të përfshirë në incident.

Njëri nga të dyshuarit Dukagjin Nikolla, i cili është në kërkim edhe nga FBI, është ende në arrati.

E Andi Pajaziti, “italiani” duhet t’i nënshtrohet edhe një operimi në krahror gjatë javës.

Klankosova.tv ka kontakuar edhe me Policinë e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje për rastin.