Shuhet çuditshëm protesta kundër rritjes së çmimit për regjistrim veturash: Vendimi mbetet në fuqi

Më 15 nëntor të këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) përmes një vendimi ka rritur tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë për mbi 26 për qind.

Tash e një javë, Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të Bankës Qendrore të Kosovës, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje se a mund të anulohet një vendim i tillë.

Ky vendim kishte ngritur pakënaqësitë e qytetarëve, si dhe grupeve të ndryshme si “Maraklit’kerreve” që kundërshtuan rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve.

Përfaqësuesit e këtij grupi në ditën e protestës kishin dorëzuar disa kërkesa në BQK duke i dhënë afat kësaj të fundit pesë ditë për pezullimin e vendimit. Por edhe pse janë bërë më shumë se dy javë në këtë punë nuk ka lëvizur asgjë. Vendimi i BQK’së vazhdon të jetë në fuqi.

Agan Hajdarhoxha organizator i protestës për Periskopin ka thënë se për këtë çështje ata kanë angazhuar një avokat për të analizuar situatën.

“Nuk ka diçka risi e kemi angazhu edhe një avokat që është duke e analizuar në detaje situatën, në qoftë se me mbështetjen që patëm ditën e protestës nuk mund ta largojmë 26% do të tentojmë që së bashku me avokatin do të gjejmë forma që do ta zvogëlojmë sadopak rritjen përmes bonus-malusit,(Mirë-Keq) ose çdo formë e cila do ta lehtësojë xhepin e qytetarit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse nuk funksionon kjo mënyrë atëherë ata do të dalin përsëri në protesta.

“Në qoftë se nuk gjejmë dialog as në këtë çështje normal që protestojmë”, shtoi ai.

Vendimin për rritjen e tarifave për sigurimin e automjeteve e ka kundërshtuar edhe ish ministri i Financave Avdullah Hoti. Duke dhënë një sërë arsyesh, Hoti ka potencuar se ngritja e këtij çmimi uniformë, pamundëso konkurrueshmërinë në treg.

“Është e qartë se Guvernatorët e Bankës Qendrore në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë një treg konkurrent, i cili do të mundësonte rritjen dhe diversifikimin e shërbimeve siguruese për biznese dhe qytetarë. Është tepër e nevojshme një strategji e Bankës Qendrore për zhvillimin e këtij tregu, e koordinuar me kompanitë që funksionojnë në këtë treg. Jam i sigurt se do të ketë debat të gjerë në Kuvendin e Kosovës kur të diskutohet raporti vjetor i Bankës Qendrore, i cili vështirë se do të marrë mbështetjen e deputetëve”, kishte shkruar ndër të tjera Hoti.

Kujtojmë, që çmimet e sigurimit të automjeteve u rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta. Për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik, për të cilat është paguar 59 euro, tani paguhet 74,71 euro. Ndërkaq, për automjetet që janë mbi 2701 centimetër kubik, për të cilat është paguar 247.80, tani paguhet sigurim prej 313,78 eurosh.