Si do ta kundërshtoj PDK projektligjin që përjashton veteranët nga ngritja e pagës minimale, flet Ferat Shala

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që nesër të mbahet seanca me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Në seancën e nesërme, ndër të tjera pikë e rendit të ditës do të jetë edhe përcaktimi i pagës minimale.

Sipas propozimit të Qeverisë, veteranët do të përjashtoheshin nga ngritja e pagës minimale.

Por, si do ta kundërshtoj PDK miratimin e kësaj pike?

Deputeti i këtij subjekti, Ferat Shala ka thënë se PDK do të përdor të gjithë mekanizmat institucional që kjo pikë të mos kalojë.

“Parimisht ne e kemi shpallë qëndrimin tonë shumë herët. Është një ligj diskriminues, një ligj i papranueshëm dhe ne do të përdorim gjithë mekanizmat institucional të mos realizohet. Nuk ka ndodhë në historinë tonë si shtet i ri që një kategori kaq meritore, kaq e lavdishme, një kategori që ka sjell lirinë dhe ka qenë kontribuuese në shtet ndërtim të përbuzet dhe anashkalohet në këtë nivel. Është jashtë çdo parashikimi edhe shoqëror e civilizues është ky ligj, i cili për ne është i papranueshëm”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Ai ka bërë me dije se nesër do të mblidhet Grupi Parlamentar i PDK-së ku do të dakordohen bashkërisht për hapat që duhet ndërmarrë.

Poashtu ai ka thënë se kryetarët e Grupeve Parlamentare opozitare janë në koordiim të plotë mes vete.

Edhe partitë tjera opozitare kanë kundërshtuar përjashtimin e veteranëve nga ngritja e pagës minimale.